“Xhakja”, Prokuroria: Procedim penal ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku

Post on: 17 September, 2012 Comments Off

TIRANE - Prokuroria e Tiranës nisi sot procedimin penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, Neritan Tabaku, për “shpërdorim të detyrës”, lidhur me dosjen e shtetasit Ilir Xhakja, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes se kryekomisarit Adem Tahiraj, pak ditë më parë në Katund Sukth të rrethit të Durrësit.

Me anë të një deklarate, shpërndarë sot për mediat, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar sot procedimin penal nr.4291 për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në ngarkim të Neritan Tabakut, me detyre Gjyqtar në Gjykaten e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Sipas prokurorisë, gjyqtari Neritan Tabaku ka cënuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohë ndaj shtetasit Ilir Xhakja, person me precedentë të theksuar penal.

Sipas prokurorisë, regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë për faktin se pranë Gjykatës se Durrësit, në datën 19.11.2010, Prokuroria e Durrësit ka përfunduar përfaqësimin e akuzës në ngarkim të shtetasit Ilir Xhakja, i akuzuar për veprat penale të vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim, të shtetasit Qerim Maloku dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

Ndërsa, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria e Durrësit kërkoi deklarimin fajtor të shtetasit Ilir Xhakja dhe dënimin e tij me 24 vjet burgim. Këtë kërkesë prokuroria e ka paraqitur në të gjitha shkallët e gjykimit të shtetasit Ilir Xhakja, si dhe në Gjykatën e Lartë, ku çështja u rikthye sërish në Gjykatën e shkallës së parë për mos kompetencë.

Gjithnjë sipas organit qendror të akuzës, Gjykata e Durrësit e shpalli vendimin e saj për këtë çështje me numër 98, datë 9.2.2011, duke e deklaruar të pafajshëm shtetasin Ilir Xhakja për veprën penale të parashikuar nga neni 78/1 -25 dhe duke e pushuar çështjen ndaj tij për veprën penale të parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal. Në seancën gjyqësore vendimi nuk u dha i arsyetuar dhe as i zbardhur. Ndërsa, Prokuroria e Durrësit e apeloi vendimin nr.98, date 9.2.2011 megjithëse vendimi nuk ishte vënë në dispozicion i arsyetuar.

Më datë 13.9.2012, vijon deklarata e prokurorisë, shërbimet e policisë gjyqësore informuan Prokurorin për ngjarjen e rëndë të vrasjes me armë zjarri të shefit të Komisariatit të Policisë Shijak, Adem Tahiraj, në fshatin Katund –Sukth të rrethit Durrës, ku nga të dhënat e para rezultoi se i dyshuari për kryerjen e kësaj vepre penale ishte pikërisht shtetasi Ilir Xhakja , i deklaruar i pafajshëm me vendimin nr.98, datë 9.2.2011 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Ndërkohë që, pas arrestimit te të dyshuarit Ilir Xhakja dhe informimit në lidhje me ecurinë e çështjes së ankimit të vendimit nr.98 datë 9.2.2011 rezultoi se çështja në fjalë nuk kishte nisur ende të shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi fashikulli përkatës ende nuk kishte mbërritur aty nga Gjykata e Durrësit, për shkak se dosja penale në fjalë ende nuk ishte dorëzuar në kryesekretarinë gjyqësore nga gjyqtari i çështjes, qysh prej datës së shpalljes së vendimit.

“Në këto rrethana, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal i mësipërm ndaj shtetasit Neritan Tabaku për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me moszbardhjen dhe mosdepozitimin brenda afateve ligjore të vendimit gjyqësor penal nr.98, datë 9.2.2011, duke cënuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohë ndaj shtetasit Ilir Xhakja dhe të dhënies së drejtësisë”, përfundon deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme.

Categories
Tags

Comments are closed.

Kerko

Sondazh

Nese do te votonit sot, cilen parti apo koalicion do te votonit?

Rezultatet

Na gjeni ne:

Me ndiq ne FacebookMe ndiq ne TwitterMe ndiq ne Google+Me ndiq ne InstagramMe ndiq ne YoutubeMe ndiq ne RSS feeds

Galeria

Lajme Nga Sporti

Surpriza Pa Fund

Vendos Emer Mbiemer dhe adresen e emailit

Albnews Moti nga Albnews