Tiranë, 20% e popullsisë e varfër, 12 mijë fëmijë jetojnë në familje me të ardhura nën 1 USD në ditë

Post on: 21 December, 2012 Comments Off

61757 Tiranë, 20% e popullsisë e varfër, 12 mijë fëmijë jetojnë në familje me të ardhura nën 1 USD në ditë TIRANË- Varfëria është ulur këmbëkryq në periferi të Tiranës. Të dhënat tregojnë se 20% e popullsisë së kryeqytetit është e varfër, dhe kryesisht është e përqendruar në minibashkitë periferike, kryesisht në Njësinë Nr.6 dhe atë 11. Situatë alarmante paraqitet edhe për fëmijët, sidomos për ata që jetojnë në varfëri ekstreme. Në Tiranë janë 12 mijë fëmijë që jetojnë në familje ekstremisht të varfra me të ardhura ditore më pak se një dollarë. Disa nga problematikat më shqetësuese në Tiranë janë varfëria në të gjitha përmasat dhe mënyrat e shfaqjes së saj dhe pamundësia e shtetit për ofrimin e një mbështetje të mjaftueshme ekonomike dhe shoqërore; mangësitë në mirërritjen e fëmijëve në të gjitha aspektet e zhvillimit të tyre, duke përfshirë aspektin arsimor, shëndetësor, argëtues, përkujdesin shoqëror.
Varfëria
Pavarësisht zhvillimit makroekonomik të Shqipërisë, varfëria vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese të shoqërisë, përfshirë edhe atë të qytetit të Tiranës. Sipas të dhënave statistikore të marra nga INSTAT, numri i popullsisë totale të Tiranës është 631.730, prej nga 17.8% është e varfër, ndërsa 2.3% shumë e varfër, shifra jo fort pozitive për një kryeqytet europian. Kjo vjen si rezultat i një sërë zhvillimesh dhe reformash politiko–sociale që prej vitit 1990 dhe si rezultat i migrimit të brendshëm, i cili është një fenomen i theksuar dhe në rritje të vazhdueshme, shoqëruar me një sërë problematikash të mprehta dhe shumëdimensionale sociale. Nivelet e varfërisë dhe pabarazisë janë të ndryshme dhe të dukshme brenda qytetit. Minibashkitë në qendër të Tiranes, 5 dhe 10 kanë nivel më të ulët varfërie dhe konsum më të lartë krahasuar me Minibashkitë 11, 4 e 6, që ndodhen në periferi të kryeqytetit, ku niveli i popullsisë së varfër është më i lartë. Në këto zona është vendosur edhe popullsia e ardhur rishtas nga zona të tjera të vendit. Përafërsisht gjysma e popullsisë së Minibashkive 6 dhe 11, si dhe një pjesë e mirë e popullsisë së Minibashkisë 4 (35%) është zhvendosur nga rrethet e tjera të Shqipërisë pas viteve ‘90.
Niveli i pabarazisë në Tiranë, është thuajse kudo i njëjtë, duke u luhatur ndërmjet 27 – 29%, me pabarazi më të madhe në Minibashkinë 5.
Fëmijët me probleme sociale
Një kategori që vuan më tepër pasojat ekonomike dhe problemet sociale janë fëmijët. Fëmijët e familjeve të varfra, përbëjnë nëngrupin më të madh të fëmijëve të rrezikuar në kryeqytet. Të dhënat administrative tregojnë se rreth 12.000 fëmijë në Tiranë, janë fëmijë të familjeve ekstremisht të varfra, që jetojnë me më pak se 1 $ në ditë. Fëmijë të rrugës që lypin dhe punojnë janë një tjetër kategori fëmijësh të rriskuar. Numri i tyre është tepër i lartë, rreth 740 fëmijë. Ku nga ky total 515 fëmijë i përkasin popullsisë rome. Vlerësimet tregojnë se në Tiranë ka rreth 4800 fëmijë jetimë që jetojnë nën kujdesin e të afërmve të tyre, ndërsa vetëm një numër i vogël fëmijësh ndodhen aktualisht në institucionet e përkujdesit social për fëmijë.
Të moshuarit e vetmuar
Megjithëse qyteti i Tiranës ka një popullsi relativisht të re, të moshuarit përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë. Rreth 60.000 të moshuar përfitojnë pension pleqërie, duke përbërë 10 % të popullsisë së qytetit. Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale vlerëson se 10% e tyre janë të varfër ose të moshuar të vetmuar. Nga të dhënat për qytetin e Tiranës figuron se 22.350 të moshuar janë me të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar jetesën dhe rreth 1.780 prej tyre jetojnë të vetmuar. Në Tiranë funksionojnë 5 qendra ditore komunitare (2 qendra ditore publike dhe 3 private ditore). Numri i përfituesve në qendrat sociale të bashkisë janë 240 të moshuar. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e tyre nuk përfitojnë. Ndaj në Planin Urbanistik janë parashikuar ndërtimet e qendrave sociale në çdo njësi bashkiake. Deri në vitin 2015 parashikohen të hapen 6 qendra të reja sociale.

Categories
Tags

Comments are closed.

Kerko

Surpriza Pa Fund

Vendos Emer Mbiemer dhe adresen e emailit

Reklame