Statusi kandidat, Majko: PS tejkaloi veten, PD e ka të keqen brenda
Post on: 6 September, 2012 Comments Off
Ndërsa mbledhja e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Partia Socialiste, u mbyll shpejt duke u kërkuar dy javë kohë për tu shqyrtuar nga pala demokrate, i menjëhershëm që reagimi i relatorit të Partisë Socialiste për këtë çështje, Pandeli Majko.
Ai tha se pavarësisht se përfaqësuesit e Partisë Socialiste u paraqitën në këtë mbledhje për të diskutuar për ato që ishin paraqitur dhe thënë edhe më parë, ku u kërkua dhe u prezantua shkurt duke u kërkuar që të flasin ekspertët, Partia Demokratike habiti me kërkesën e saj.
“Prezantuam shkurt pasi synonim sa më pak politikë dhe sa më shumë profesionalizëm, por çudi më erdhi pas vargut të deklaratave si të Kryeministrit dhe të deputetëve të PD, ku sot na habitën duke kërkuar 2 javë kohë kur të gjithë po kërkojnë të vrapojmë me ndihmën e miqve të Brukselit. Ka deklaratë të përsëritur nga Partia Socialiste dhe kreu i saj se ne nuk do nxjerrim si problem edhe nëse ndryshimet tona kushtetuese të mos gjenim kompromis, ne do votonim duke pasur parasysh se Shqipëria duhet të jepte mesazhe të qenësishme që pret Bashkimi Europian, pasi është e rëndësishme që Shqipëria të hedhë këtë hap të madh”, u shpreh Majko.
Ai tha se Partia Demokratike i çuditi të gjithë kur kërkoi 2 javë kohë për një varg propozimesh, në një kohë që ato kanë të paktën 2 muaj që diskutohen.
Majko bëri me dije se synohej që diskutimet të mbylleshin brenda 14 shtatorit dhe se votimi i tyre në Parlament të bëhej maksimumi në 30 shtator, kjo pas insistimit të mazhorancës qeverisëse për përmbushjen e reformave si dhe apelit të vazhdueshëm të Brukselit.
Sipas tij Partia Socialiste tejkaloi veten dhe një varg problemesh që ka me Partinë Demokratike dhe vetë Kryeministrin Sali Berishën duke u ulur në tavolinë dhe duke ulur kokën.
Ai shtoi se nuk beson se ka opozitë që të thotë se edhe po nuk u votuan propozimet e saj, do japë votën gjithsesi, ku theksoi se Partia Demokratike gjeti rast të bëjë një humor të hidhur duke kërkuar dy javë në këtë kohë kaq delikate për të marrë ftesën për statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Europian, janë një luks i tepruar i njerëzve që tregojnë papërgjegjshmëri maksimale.
“Në këtë histori të cilën Partia Demokratike kërkon me ngulm,duhet, duhet, duhet sot kërkon 2 javë kohë për një çështje që është diskutuar aq shumë herë. Do ishte më e ndershme të votonte më mirë kundër dhe të votoheshin vetëm ku mund të bihej në konsensus, por çështja e imunitetit duket se nuk qenka kaq e thjeshtë. Ndaj mendoj se e gjitha kjo përkon me një shprehje labe, “Muço të hëngërt tenja, e ke të keqen brenda”, përmbylli fjalën e tij ligjvënësi socialist.


