Shiu rrit prurjet në hidrocentralin e Fierzës

Post on: 1 November, 2012 Comments Off

TROPOJË-Reshjet e shiut, që vazhdojnë pa ndërprerje nga mbrëmja e kaluar, kanë rritur ndjeshëm prurjet e ujit në liqenin e Fierzës, duke krijuar një situatë optimiste për specialistët e hidrocentraleve në këtë periudhë të stinës së reshjeve. Kjo edhe për faktin se niveli i liqenit të Fierzës, që shërben si rregullator edhe për dy hidrocentralet e tjerë të mëdhenj, ai i Komanit dhe Vaut të Dejës, vazhdon të mbetet i ulët.

Sipas burimeve nga salla e komandës në hidrocentralin e Fierzës, prurjet e ujit të të dy Drinave, si dhe ato të përrenjve të tjerë që derdhen në liqenin e Fierzës kanë arritur deri në 550 metër kub ujë në sekondë, ndërkohë që niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në 262.5 metra mbi nivelin e detit.

Prurjet e ujit në rritje, pas reshjeve të shiut kanë sjellë rritjen e nivelit të ujrave të liqenit, me 30 centimetër në 24 orë, duke bërë që prej 3 ditësh, edhe rrënojat e Kukësit të vjetër, të dala mbi sipërfaqe në kohën e thatësirës, të zhyten nën ujë.

Por pavarësisht nivelit në rritje të liqenit të Fierzës, ky tregues mbetet ende i ulët, në pritje të përmirësimit të situatës, për shkak të prezencës së mundëshme të reshjeve të stinës dhe një situate të përmirësuar ndjeshëm në ditët e ardhshme, kur parashikohen reshje shiu të vazhdueshme.

Categories
Tags

Comments are closed.