Përleshje masive në Mitrovicë

Post on: 21 December, 2011 Comments Off

Dy grupe serbe, prej 60 personave raportohet të kenë qenë të përfshirë në një rrahje massive në veri të qytetit të Mitrovicës. 

Ngjarja ka ndodhur të martën në mbrëmje, rreth orës 23.00, ndërsa grupi i të rinjëve ka demoluar fillimisht dy automjete civile pronë të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe. Policia njofton se ndjekja dhe rrahja e grupeve të të rinjve ka vazhduar edhe në dy lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës, ndërsa njësitë policore të stacionit veri dhe atij Zvecan, janë vënë në kryerje të detyrës për të parandaluar eskalimin e mëtejmë të situatës.

Rrahja masive është përhapur në rrugën “Knjaz Millosh” ku janë demoluar xhamat e një lokali të ushqimit të shpejtë, ndërsa policët patrullues, të cilët kanë reaguar të parët në vend ngjarje, janë obliguar të vënë në përdorim spërkatësin lotsjellës, për të ndarë grupet e përfshira në rrahje të cilët përdornin mjete të forta, ndërsa njëri prej zyrtarëve policor, si mënyrë paralajmëruese, ka vënë në përdorim armën zyrtare, duke shtënë në ajër, me qëllim të parandalimit të grupeve vandale.
Bëhet e ditur se së paku, nëntë persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, me lëndime të ndryshme, kryesisht, lëndime të lehta dhe prerje në pjesë të ndryshme të trupit, nga mjetet e vëna në përdorim gjatë rrahjes.Dyshohet se motiv i mundshëm i kësaj rrahje është konflikti i interesit të grupeve huligane. Hetuesit policor të stacionit veri në Mitrovicë, kanë iniciuar hetimet për vepra penale “dëmtim të pronës” dhe “shkaktim të lëndimeve trupore”, ndërsa janë në proces të mbledhjes së informatave për identifikimin e mundshëm të personave të përfshirë në rrahje.

Incidente të tilla të grupeve të të rinjve në veri të Mitrovicës, janë raportuar të kenë zënë vend edhe më herët. Deri tani nuk ka të arrestuar lidhur me rastin e fundit.

Categories
Tags

Comments are closed.