Ku ka humbur taksa progresive, ç’është taksa e ndershme?!

Post on: 15 June, 2013 Comments Off

69221 Ku ka humbur taksa progresive, ç’është taksa e ndershme?!Taksa Progresive, si një model fiskal që përdoret gjerësisht në vendet e zhvilluara, ka mbi një muaj që ka humbur nga terminologjia elektorale e lidershipit socialist, në rrugëtimin e këtij të fundit me autobusin mavi të Rilindjes, i cili thuajse është gremisur në një humbëtirë programore. Vetë Rama tashmë e ka mbyllur këtë kapitull, apo më saktë e ka devijuar, sepse nuk flet më për taksë progresive, por ka shpikur një term të ri: “taksim i ndershëm”, i cili nuk ekziston në terminologjinë fiskale të asnjë vendi të botës, dhe argumenti i vetëm që përdor për ta mbrojtur është tepër i përgjithshëm: Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë; kush fiton më pak do të paguajë më pak… As më shumë e as më pak, ky “taksim i ndershëm” shoqërohet dukshëm me një pandershmëri politike dhe elektorale.
Pasi doli blof me taksën progresive, terminologjia “taksim i ndershëm” që po përdoret gjerësisht në fushatën elektorale të PS-së, në media, në spote televizive apo në qindra-mijëra postera, nuk e shpëton dot Ramën nga dështimi elektoral i Programit të tij Fiskal, sepse përbën vetëm një propagandë false që nuk bazohet në asnjë analizë financiare që të argumentojë rritjen e nivelit ekonomik të masës së shqiptarëve dhe të mirëqenies në shoqëri që PS-ja premton…
Fare shkurt do të parashtroja sa më poshtë:
1. Taksa e Sheshtë është një taksë, e cila në fakt, përmban brenda vetes një farë progresiviteti, që përmban edhe sloganin e Ramës që, “kush fiton më shumë, paguan më shumë”, pavarësisht se shifra e taksimit është e njëjtë për të gjithë (10 për qind), përveç atyre që janë poshtë nivelit të rrogës prej 30 mijë lekësh të reja. Pra, pa dashur ta thjeshtëzoj problemin, një personi që fiton nga rroga p.sh. 35 mijë lekë, do t’i mbahen 3,500 lekë, ndërsa një tjetri që merr rrogë 350.000 do t’i mbahen 35,000, pra dhjetë herë më shumë. Po në këtë nivel tatohen edhe të ardhurat e personave, ato që ata marrin nga qiratë, punët dytësore, biznese të tjera etj.
2. Taksa Progresive është një “Taksë e Sheshtë” me kate, ku, përveç katit përdhes që e ka zero shifrën e taksimit, në çdo kat shifra e taksës është e njëjtë, dhe, sa më i lartë të jetë kati i të ardhurave që marrin njerëzit, shifra rritet në mënyrë progresive dhe shkon, sipas shteteve të ndryshme, deri në 50,60,70 e deri 80 për qind.
3. Taksa Progresive është përdorur për shumë kohë në Shqipëri deri para disa viteve, por rezultoi e dështuar në mbledhjen e të ardhurave, për shkak të evazionit fiskal të tejskajshëm dhe korrupsionit galopant të krijuar nga agresioni i biznesit mbi punonjësit dhe institucionet e dobëta shtetërore, si edhe teknologjisë primitive të organeve fiskale.
4. Taksa Progresive, vazhdon të përdoret gjerësisht në vendet e zhvilluara, sidomos në vendet e Welfare States – Vendet Skandinave, por edhe në vende të tjera të BE, SHBA e Kanada etj., dhe inspiron ndjenja njerëzore për një mirëqenie për të gjithë, por kohë pas kohe ajo krijon parazitizëm në shoqëri, krijon një klimë mbytëse për iniciativën e lirë të individit dhe investitorët vendës e sidomos të huaj, për shkak të parazitizmit social që tenton të frymëzojë…
5. Ky fenomen po vihet re në shembuj masivë në këtë kohë krize edhe në vendet e BE, në sipërmarrjet e mëdha, të mesme e të vogla të komunitetit të biznesit, por edhe në personalitete botërore që braktisin vendet e tyre për shkak të taksave të larta stratosferike (Gerard Depardieu etj.). Mbi të gjitha, zbatimi i Taksës Progresive kërkon institucione dhe organizma fiskalë të stabilizuar e të kompletuar në mënyrë të gjithanshme dhe, veçanërisht, një shtet demokratik të konsoliduar, prej të cilit Shqipëria është ende larg.
6. Argumentet e mësipërme, por ndoshta edhe prania në grupin parlamentar socialist të disa miliarderëve, të cilët nuk kanë ndërmend të bëjnë harakiri me pasurinë dhe pasurimin e tyre duke votuar një ligj fiskal taksimi që do të dëmtonte rëndë interesat e tyre në sipërmarrje të cilat duan t’i zhvillojnë më tej, me sa duket kanë bërë që Rama të heqë dorë përfundimisht nga Taksa Progresive dhe t’i kthehet një farë “taksimi të ndershëm”, që vetëm i ndershëm nuk mund të jetë, sepse është një hiçgjë, një spekulim politik…, një shpëlarje truri që kërkon t’u bëjë shqiptarëve…
7. Në kontekstin e mësipërm, në Shqipëri, si një vend që synon para së gjithash të bëhet një vend i zhvilluar përmes rritjes së vrullshme të investimeve dhe sipërmarrjeve të mëdha, vendëse e të huaja, që sigurojnë ritme të larta të rritjes së nivelit të punësimit të njerëzve dhe, me përparësi të brezit të ri, progres gradual dhe të sigurt të rritjes së nivelit të mirëqenies, TAKSA E SHESHTE është tepër e përshtatshme, dhe si e tillë, ajo është TAKSA E NDERSHME për Shqipërinë, nëse do të kërkohej një terminologji e tillë fiskale për kohën që jetojmë.
Ajo do të duhet të zbatohet edhe për disa kohë, në mënyrë që sipërmarrja e lirë dhe e ndershme në të gjitha nivelet, të marrë frymë lirisht dhe progresi të galopojë me ritme më të larta për punësim, mirëqenie dhe integrim, deri në konsolidimin e institucioneve të shtetit demokratik, që përbën edhe sloganin e programit elektoral të koalicionit “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, që në fakt frymëzohet nga Politika Njerëzore e një Socialdemokracie realiste të shekullit të kaluar, që i përshtatet më së miri mentalitetit dhe realitetit të sotëm social, ekonomik e politik të Shqipërisë.

Lajme te Ngjashme:

Categories
Tags

Comments are closed.

Kerko

Surpriza Pa Fund

Vendos Emer Mbiemer dhe adresen e emailit

Reklame