Klea Huta, prezantuese dhe aktore pa mbushur 20 vjeç (FOTO)

Post on: 21 April, 2013 Comments Off

Klea Huta, moderatore e “Top Fest 10” në krah të Ledion Liços, flet për emocionet e ambicies televizive. Për pak mbush 20 vjeç, dhe ka çfarë të ndajë me publikun, tashmë që është bërë protagoniste dhe në serialin triller të Besnik Bishës me titull “Millenium”. Pas eksperiencës si gazetare sportive e kronikave rozë në “Procesin Euro 2012”, tashmë në ethet e një gare ku këndohet. Flet për xhelozitë në ekran dhe shpirtin e aventurës që fshihet pas vajzës romantike.
Po provon eksperiencën e moderatores së “Top Fest 10?, festivali që tashmë ka hyrë në fazën gjysmëfinale. Si do t’i komentoje këngëtarët nga takimet me ta në paskuinta?
Do të thosha që i kam parë të emocionuar dhe jo vetëm ata, por edhe unë bashkë me ta (qesh). Ndonjë prej tyre vinte aty pranë dhe më pyeste: “Klea, të lutem çfarë do më pyesësh mua?”. Janë emocione të paevitueshme, të cilat çdo artist që ngjitet në skenë, qoftë për herë të parë, qoftë për herë të 100-të do i përjetojë. Lum ai ose ajo që i ka emocionet pozitive dhe arrin ta zotërojë skenën!
I ke memorizuar të gjitha këngët në konkurrim dhe te cila këngë ke gjetur veten në vargjet dhe muzikën e saj?
Do gënjeja po të thosha po, pasi është gati e pamundur. Kanë qenë mbi 140 këngë në konkurrim këtë vit dhe mund ta merrni me mend vetë. Megjithatë, ka disa këngë që më kanë pëlqyer, por që të kem gjetur veten në to, jo tamam.
Për cilin këngëtar apo këngëtare do të jepje votën për të fituar “Top Fest 10? dhe pse?
Nuk besoj se jam në kushte për të dhënë mendimin tim personal në publik, pasi kemi konflikt interesash pastaj (qesh). Por për një gjë jam dhe të jeni të sigurt, kushdo që do ta fitojë “Top Fest”, do ta ketë të merituar plotësisht.
Si ndihesh në krah të Ledion Liços? Nëse do ju shihnim si dy gjysma në skenë, çfarë nuk ka ai që e plotëson ti dhe e kundërta?
Ledioni është një moderator të cilin unë e vlerësoj dhe për mendimin tim ai është një Rusell Brand shqiptar. Ndihem mirë, pasi ai është një personazh i njohur tashmë për pothuajse të gjithë publikun shqiptar dhe ishte një kënaqësi të prezantoje me Ledionin. Ai ka disa vite eksperiencë, e cila i jep elokuencë në të folur dhe një lirshmëri “të frikshme” herë-herë (qesh). Unë jam plotësisht në fillimet e mia (jo amatore) dhe kam shumë punë përpara, por jam krenare për veten dhe për gjërat që kam arritur deri tani.
Cilat janë ambiciet e tua të mëvonshme në televizion, çfarë do dëshiroje të arrije në ekran?
Ambiciet janë të mëdha dhe ndonjëherë i frikësohem vetes. Por deri tani i kam realizuar qëllimet e mia. Kam projekte të cilat më presin t’i përvishem punës. Se çfarë do të dëshiroja, uroj të kem fatin e ta shihni të pasqyruar te puna ime.
Në jetë je e dhënë pas romanticitetit apo aksionit. Sa e kategorizon veten si vajzë aventurash?
Jam e dhënë me tepër pas romanticitetit, por ama simpatizoj edhe aventurat, në veçanti adrenalinën që të përcjellin këto aventura… Nuk më ka rastisur shpesh të bëj të tilla, por jam e hapur për të provuar gjëra të reja.

Klea: Vajza që luaj në serialin triller, është si unë
Klea Huta luan së bashku me Olta Gixharin dhe Eralda Hitajn në serialin televiziv triller “Millenium”, me skenar dhe regji të Besnik Bishës. “Ardhja e këtij filmi në jetën time ishte befasuese. Ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri, që rolet apo vendet e punës i zgjedh ‘miku’, kështu mendova dhe kur shkova në audicion. Personi që më ka shtyrë të shkoj, ka qenë pedagogia ime e mjeshtrisë së aktorit (pasi unë studioj për Aktrim në “Universitetin e Arteve”), Rovena Lule. I jam mirënjohëse dhe do t’i jem gjatë gjithë jetës, sepse prej saj unë fitova rolin e parë në jetën time, për më tepër rol kryesor në një film serial me kast të përzgjedhur me shumë finesë dhe mençuri nga regjisori, të cilin unë e kam shumë përzemër, Besnik Bisha”, thotë Klea. Më tej, ajo tregon që: “Audicioni ishte për tjetër personazh, ndërkohë që kur u njoftova që isha përzgjedhur ndërmjet shumë aktoreve të tjera, të cilat kanë bërë audicion dhe më lejoni të them që ka qenë një numër i konsiderueshëm, ndjeva pasiguri dhe thosha me vete: “Jo prit pak, vërtet mua më kanë zgjedhur apo po ngatërrojnë person?” Por fati donte që të isha unë (qesh). Grejsi, emri i vajzës që luaj, është 70 për qind unë. Kjo ma ka lehtësuar pak punën që një aktor duhet të bëjë me veten për t’u futur në personazh, por ama kjo nuk do të thotë që nuk kam punuar. Jam shumë kërkuese ndaj vetes dhe dua qe të dalë një punë e mirë, në mënyrë që kur ta shoh pas disa vitesh, të mos them “Booh sa keq këtu!”, ndonëse e them gjithmonë për veten.

 

 

 

 

 

 

Lajme te Ngjashme:

Categories
Tags

Comments are closed.