Greqi, këmbëngulje turke në Egje, bisedë Papandreu-Netanjah

Post on: 16 September, 2011 Comments Off

ATHINË- Kryeministri grek Jorgo Papandreu pati mbrëmë një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit Benjamin Netanjahu, dhe sipas disa mediave izraelite, të cilave iu referohen agjencite greke të lajmeve, mësohet se ata kanë rënë dakord për stacionimin e avionëve dhe anijeve izraelite luftarake në bazat greke në Mesdhe, për të përballuar një sulm të mundshëm.

Para 2 javësh, pas disa lëvizjeve të rrezikshme të Turqisë në drejtim të të dyja vendeve, ministri i Mbrojtjes greke, Panos Beglitis dhe homologu i tij izraelit, Ehud Barak, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për sigurinë në Jeruzalem.

Në kushtet e kërcënimeve të vazhdueshme nga Turqia, Papandreu takoi dje për rreth 2 orë anëtarët e këshillit grek të sigurisë, për të vlerësuar situatën, e cila thuhet se është përshkallëzuar shpejt.

Mbrëmë, gjatë bisedës telefonike me homologun izraelit, kryeministri grek Papandreu ka shprehur shqetësimin e tij për lëvizjet e flotës turke në Egje dhe Mesdhe, pasi vetëm 48 orët e fundit ka pasur një rritje të papritur të fluturimeve të avionëve luftarakë turq mbi ishullin grek Kastelorizo.

Athina i druhet një sulmi turk në Kastelorizo, popullsia e të cilit nuk i kalon 1 000 banorë. Ndërkohë që Izraeli dyshon se sulmi turk mbi ishullin grek, mund të jetë sinjal i sulmit ushtarak për platformat naftës dhe gazit të vendosura në Mesdhe, në mes të Izraelit dhe Qipros.

Burime ushtarake, që citohen nga faqja izraelite e internetit “debka files”, (e njohur për qasjen në burimet e sigurisë në Tel Aviv) thonë se në fazën e parë, forcat izraelite ajrore dhe detare, do të stacionohen në bazat ushtarake greke në Mesdhe dhe shërbimet e sigurisë së dy vendeve, tashmë të ndajnë informacion mbi këtë çështje.

Deri tani Izraeli mund t’i përgjigjet një kërcënimi të mundshëm turk, vetëm nga territori i tij. Me praninë e forcave ushtarake në bazat greke të Mesdheut, Izraeli do të ketë kapacitet tjetër për të vepruar në rast të një sulmi turk në Mesdhe.

Mediat thonë gjithashtu se nga ana e saj, Turqia do të veprojë me pretekstin se Izraeli nuk ka të drejtë të shfrytëzojë naftën dhe gazin në zonat e Mesdheut Lindor, pa pëlqimin e Qipros turke.

Kryeministri turk Recep Taip Erdogan ka deklaruar se “Izraeli nuk mund të bëjë atë që dëshiron Mesdheun Lindor. Ata do të shohin se cilat do të jenë vendimet tona për këtë çështje”. Deklarata u raportua në faqen e internetit të gazetës izraelite Jerusalem Post.

Ndërkaq pas njoftimit se Ankaraja nga 15 shtator-15 nëntor do të kryejë kërkime për identifikimin e hidrokarbureve në jug të ishullit Kastelorizo, me anë të anijes norvegjeze “Surveyor Bergen, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Delavekuras tha në një deklaratë:
“Kemi udhëzuar Ambasadën greke në Ankara që të bëjë përpjekje diplomatike në ministrinë e Jashtme turke, për heqjen dorë nga çdo aktivitet kërkimor, që prek të drejtat sovrane greke në rajon.

Njëkohësisht, i janë dhënë udhëzime të Ambasadës greke në Oslo për të kontaktuar kompaninë e transportit detar të anijes norvegjeze të kërkimit, dhe Ministrinë e Jashtme norvegjeze, për t’iu bërë të ditura qëndrimet greke.”

Duke përfunduar z. Delavekuras vë në dukje se “Ministria e Jashtme do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e kësaj cështjeje, duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme”.

Ndërkaq, të dielën, Papandreu do të takohet me tri organizatat amerikano-çifute në Nju Jork, ku ndodhet për mbledhjen vjetore të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas burimeve diplomatike, Papandreu do të diskutojë rreth bashkëpunimit ndërmjet diasporës hebreje dhe greke në Shtetet e Bashkuara, rreth kërcënimeve turke dhe se si Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë.

Categories
Lajme  
Tags

Comments are closed.