Gerta e “BB5”: Nuk do ndahem nga Liami për asnjë arsye…
Post on: 1 July, 2012 Comments Off
Ekziston vërtet një lidhje midis dy ish-banorëve të “Big Brother Albania”? Sa e vërtetë është historia e dashurisë mes Gertës dhe Liamit? A ka përfituar nga situata djaloshi simpatik, pas largimit të së dashurës për në Gjermani? A ishin të sakta parashikimet e publikut, që dyshonin për një lidhje të mundshme pas përfundimit të spektaklit? Këto ishin disa prej pyetjeve që mundonin një pjesë të mirë të admiruesve të personazheve në fjalë përgjatë kësaj jave. Gjatë javës së shkuar, lajmi për lidhjen e tyre, që kishte kohë që qarkullonte, u publikua në një të përditshme, madje zëra thonë se ka edhe një foto të të dyve, duke u puthur. Po, për këto thashetheme ne morëm përsipër të kontaktojmë personalisht me protagonisten, me zonjushën simpatike Gerta Matohiti, që të na servirte edhe ajo versionin e saj…
Gerta, na trego pak të vërtetën lidhur me raportin tënd me Liamin…
Unë do ju tregoj atë që di unë, se kam vënë re kohët e fundit, që ka njerëz që dinë edhe më shumë se ne të dy. Nuk arrij ta perceptoj dot se si mund të shpifin në kurriz të të tjerëve, duke mos marrë parasysh koston sociale që i shkaktojnë një personazhi. Ne vazhdojmë të ruajmë po të njëjtin raport miqësor që kemi pasur qysh në “Big Brother”. Kuptohet që frekuentohemi shpesh me njëri-tjetrin, si dy miq të zakonshëm.
Pretendohet se ekziston një foto, ku jeni kapur “mat” në një pozicion të dyshimtë. Çfarë mund të pohosh?
Mund t’ju tregoj se atë ditë ne nuk kemi qenë vetëm. Unë shoqërohesha nga motra ime. Sapo kishim dalë nga makina për të shkuar diku dhe të dy gjendeshim përballë. Absolutisht është një pozicion normal, që nuk lë vend për dyshime. Fotografi varet se nga cili kënd ka shkrepur aparatin dhe është e qartë ideja, që ka qenë tendencioz. Foto të tilla mund të bëjmë përditë, me çdokënd. As nuk ishim afër, as nuk ishim larg. As po putheshim, as po përqafoheshim. Çfarë të them tjetër? Pse duhet të ketë dyshime?
Për sa kohë ju qëndronit afër, qysh në ditët e para të hyrjes tënde në shtëpi,…sinqerisht, nuk ke ndjerë asgjë më shumë? Stepeshe, sepse e dije që ai kishte një histori jashtë, apo e konsideroje vetëm mik të mirë?
Unë vijoj ta konsideroj mik të mirë…Nëse ne të dy do të kishim diçka më tepër besoj se do ta reflektonim, kohë kishte boll. Madje dhe tani më vjen keq për faktin që Evelina është larguar dhe njerëzit mund të mendojnë se unë jam përfituesja. Ndjehem e fyer, sepse nuk do të bëja asnjëherë diçka kundër vullnetit apo dëshirës sime, aq më tepër duke e ditur se këto veprime mund të lëndonin të tjerët.
Aktualisht, ka një mashkull në jetën tënde?
Sigurisht, dy vëllezërit e mi (qesh). Përtej shakasë, asnjëri deri tani nuk gëzon statusin e partnerit tim.
Mendon se thashetheme të tilla mund të dëmtojnë imazhin tënd në publik?
Nuk kam synuar të jem qendra e vëmendjes, më ka interesuar përherë të bëj jetën time. Për sa i takon publikut, ai është i lirë të besojë çfarë të dojë. Përderisa qarkullojnë versione të ndryshme, absolutisht nuk mund t’u imponohem. Thjesht di që vetë po them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Po me banorët e tjerë çfarë relatash ke ruajtur?
Me Dritanin dhe Liamin ruaj raporte të mrekullueshme. Kemi një shoqëri që së fundmi po na e marrin më sysh (qesh). Gjithsesi, ne nuk do ndahemi për asnjë arsye në botë. Ndërsa me të tjerët, marrëdhënie konstante, të mira me të gjithë.
Cilat janë planet e verës për Gertën? Dimë që po realizon një këngë…
(buzëqesh) Po argëtohem pa masë këtë verë, pasi po realizoj një ëndërr timen. Kam nisur punën në bashkëpunim me Dr.Florin për një hit të jashtëzakonshëm, që uroj të pëlqehet masivisht. Kënga do të shoqërohet edhe nga një klip dhe ka ritme tepër të forta e të kërcyeshme. Jam e lumtur për këtë projekt.
Po pushimet si do t’i kalosh?
Do shkëputem nga kryeqyteti i zhurmshëm, për disa ditë në Jug të vendit. Sigurisht, e shoqëruar nga familjarët e mi, pasi jam mësuar që me ta kaloj momente të mrekullueshme. Do freskohemi nga ky i nxehti përvëlues, për t’u rikthyer me energji të reja e pozitive. Uroj, larg thashethemeve të shtypit rozë!


