Arta Dollani: Shtëpia e Bregut në Prezë, pa leje nga IMK

Post on: 21 January, 2014 Comments Off

TIRANE - Shtëpia e familjes së ish-ministres Bregu në kalanë e Prezës, hoteli që mbiu në zonën muzeale të Gjirokastrës, vilat e bllokut, shtëpia e Flamurit në Korçë, janë çështjet e nxehta të trashëgimisë, që presin zgjidhje prej saj. Arta Dollani, drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, vjen në të parën intervistë mediatike që prej marrjes së detyrës. Përkundër faktit që përgjigjet janë të shkurtra e tepër ‘diplomatike’, sërish krijohet ideja a vizioni që Dollani ka për trashëgiminë dhe ndërhyrjet që ka ndërmend të bëjë.
Jeni prej pak muajsh në krye të Institutit të Monumenteve. Sa e vështirë ishte për ju në fillim kjo detyrë?
Së pari, dua t’ju falenderoj për interesimin në çështjen shumë të debatuar mbi monumentet e kulturës. Për mua është shumë e njohur puna e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pasi prej vitesh kam punuar në Bashkinë e Tiranës dhe e kam ndjekur nga afër punën e institutit dhe çështjet e trashëgimisë kulturore në Tiranë e gjithë Shqipërinë, e po ashtu njohja me punën nuk qe e vështirë, pasi është plotësisht brenda profilit të profesionit tim. Problematika e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike është shumë e madhe. Për mua fillimisht ishte dhe ende është problem lokalizimi i saktë i objekteve që përfshihen brenda listës së monumenteve. Duket se inspektimi nga ana e Drejtorive Rajonale Kombëtare të Kulturës ka ndalur deri tek objektet brenda qendrave të banuara, ndërsa pjesa tjetër është e paidentifikuar në terren.
Në projektbuxhetin e Ministrisë së Kulturës parashihej që nga 9 drejtori rajonale të monumenteve të Kulturës, do të bëhen gjashtë. Cilat do të shkrihen?
Është menduar shkrirja e disa drejtorive rajonale me arsyetimin e shkurtimit të punonjësve të shërbimeve mbështetëse, të cilët nuk kryejnë një detyrë funksionale profesionale le të themi, si dhe për të bërë një mirëmbulim të territorit nga personeli lokal. Është menduar që këto drejtori të zvogëlohen në numër, por të ketë një mbulim sa më të mirë të territorit ku gjenden monumentet, me anë të lokalizimit të punëtorëve profesionistë pranë objekteve.
Cilat janë drejtoritë që shkrihen?
Ato drejtori që mbulojnë qytetet e mbrojtura nga UNESCO qëndrojnë të veçanta. Do të ketë grupime të drejtorive rajonale që mbulojnë zonën e veriut, Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut.
Konkretisht cilat?
Ende nuk janë përcaktuar se si do të ndahen, por do të bëhet një grupim territorial më i përshtatshëm.
Një projekt i lënë pezull nga ish-drejtori ka qenë rijetëzimi i monumenteve të kulturës. Është folur që puna ka filluar tashmë në kalanë e Lezhës. Çfarë do të bëhet?
Problemi i rijetëzimit është shumë kompleks, pasi ligji aktual e përcakton si fjalë dhe jo detajet se si do të bëhet për monumente të ndryshme të kategorisë së I dhe të II. Ne do të përcaktojmë një kuadër ligjor me terma më të detajuar në këtë drejtim dhe tashmë projektet e rijetëzimit do të jenë të kompletuara me ndërhyrje shumë të kujdesshme sipas standardeve ndërkombëtare.
Ka filluar rijetëzimi në Lezhë?
Nuk kam informacion ende.
A është folur për detajet e kontratave mes shtetit dhe privatit sa i takon rijetëzimit ku përfshihet biznesi?
Çështje të kësaj natyre janë në diskutim. Por mund të them me siguri se do të përcaktohet zona e mbrojtur pranë monumenteve, që do të thotë se do të përcaktohen zonat ku dhe ku nuk do të ndërhyhet, si dhe mënyra e ndërhyrjes. Biznesi është partner i shtetit dhe monumentet janë pasuri e të gjithë shqiptarëve, ndaj rijetëzimi duhet të jetë një proces i mirëstudiuar dhe tepër i kujdesshëm.
Kryeministri Rama dhe ministrja Kumbaro kanë folur muaj më parë për ndalim ndërtimesh në Gjirokastër e Berat si zona të mbrojtura nga UNESCO. Ndërkohë, a janë riparë lejet e dhëna deri më tani?
Është e vërtetë se është ndaluar dhënia e lejeve të ndërtimit në zonat e mbrojtura të Gjirokastrës e Beratit. Ndërhyrja në to do të përcaktohet në rregulloret e të këtyre zonave. Është hartuar draft-rregullorja për Beratin e do të hartohet edhe për Gjirokastrën e pas kësaj, çdo gjë do të jetë më e qartë për zonat e mbrojtura.
A është pezulluar ndërtimi i hotelit në zonën e mbrojtur të Gjirokastrës?
Është një çështje që ka vajtur në gjykatë dhe unë nuk mund të prononcohem për sa kohë që gjykata nuk ka dhënë një vendim.
Një tjetër çështje e mbartur e IMK-së është ndërtimi pranë kalasë së Prezës, ku të afërm të ish-ministres Majlinda Bregu po ndërtojnë shtëpi. A ka dhënë leje IMK? A po shqyrtohet kjo çështje?
Kalaja e Prezës, ashtu si pjesa më e madhe e monumenteve të kategorisë së parë, nuk disponon një zonë të mbrojtur rreth mureve të saj, çka do të ishte instrument ligjor i mjaftueshëm për të mos lejuar leje zhvillimore nga komunat dhe bashkitë. Në arkivën e IMK nuk ekziston leje për këtë ndërtim.
Ish-drejtori i IMK-së ka hequr nga mbrojtja vilat e bllokut. Ju a do i rivini në mbrojtje? (Pse po ose jo?)
Të gjitha vendimet për heqjen nga lista e objekteve monument kulture po shqyrtohen me imtësi. Më pas do të vendoset si do të procedohet për çdo rast.
Shtëpia e Republikës së Korçës është rrëzuar në vitin 2012. Përgjatë dy viteve është diskutuar e premtuar ringritja. Ju keni ndonjë plan konkret?
Ky është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Jemi në proces trajtimi dhe shumë shpejt do të bëhet publik vendimi për këtë objekt tepër të rëndësishëm historik.
Një nga temat më të debatuara (edhe nga Forumi i Mbrojtjes së Trashëgimisë) ka qenë se fondet u jepeshin firmave restauruese pa lidhje me trashëgiminë. Ka ndodhur shpesh që restaurimet kanë rezultuar të jenë të dëmshme. Ju, çfarë do të bëni për këtë pjesë?
Ndërhyrjet restauruese janë një nga fushat më delikate në ndërtim. Keni shumë të drejtë në shqetësimin tuaj. Personeli i specializuar në restaurim, përvoja e suksesshme si dhe respektimi i standarteve ndërkombëtare ISO janë kriteret e panegociueshme bazë, që duhet të plotësojë një firmë konkurruese. Këto janë instrumentet që mund të parandalojnë dëmtimet e pakthyeshme gjatë punës restauruese.
Kryeministri në vizitën e tij në Krujë ka premtuar se do të ndalojë ndërtimet abuzive ndanë kalasë. Ju i qëndroni kësaj ideje? Keni plan konkret?
Premtimi është ndjekur nga një vendim konkret. Moratoriumi i lejeve zhvillimore në zonat me rëndësi kombëtare, përfshirë këtu edhe qytetin e Krujës. Ashtu siç përmenda pak më parë, instrumentet ligjore që veprojnë në territor përcaktojnë të ardhmen urbane. Historia dhe identiteti ynë kombëtar mbështetet në objektet tona monument kulture. Plani konkret është hartimi sa më i shpejtë i zonave mbrojtëse të monumenteve dhe rregulloreve të administrimit.
Objektivat tuaja për 2014 cilat janë?
Përditësimi i të gjitha objekteve të monumenteve të kulturës, gjendja e tyre aktuale dhe vlerësimi i tyre, identifikimi i objekteve të lëna jashtë kësaj liste, hartimi i sa më shumë projekteve restauruese, i rregulloreve e shumë të tjera. Një tjetër prioritet është ngritja e fondeve për restaurimin e këtyre objekteve, pasi buxheti i 2014 është i dobët si pasojë e së shkuarës që tashmë njohim.
A do rikthehen kujdestarët pranë monumenteve?
Është riparë strategjia e ruajtjes së monumenteve. Po të shohim me kujdes ligjin e trashëgimisë, në të përfshihen si përgjegjës edhe pushteti lokal dhe administratorët e objekteve siç janë psh., objektet e Kultit. Ministria e Kulturës e IMK do të ndërmarrë një fushatë bashkëpunimi me pushtetin lokal, komunitetin mysliman dhe Kishën Ortodokse për këtë çështje, për të bërë të mundur ruajtjen dhe administrimin e këtyre objekteve.

Lajme te Ngjashme:

Categories
Tags

Comments are closed.