Arrestohet 50-vjeçari, dogji 100 hektarë pyll dhe 400 rrënjë ullinj

Post on: 8 September, 2012 Comments Off

 Rreth 100 hektarë pyll dhe kullotë, si dhe 400 rrënjë ullinj janë djegur dje në rrethin e Tepelenës. Policia ka arrestuar autorin e zjarrit, 50-vjeçarin Tahir Llaka, lindur dhe banues në fshatin Kalivaç të komunës Krahës, të rrethit Tepelenë.

Llaka, dje rreth orës 15.00, në vendin e quajtur “Vreshtas”, në afërsi të fshatit Kalivaç të komunës Krahës i ka vënë zjarrin kullotës. Për shkak të erës së fortë zjarri i ka dalë nga kontrolli, duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe duke djegur rreth 100 hektarë pyll e kullotë .

Zjarri ka përfshirë disa parcela të mbjella me ullinj, pronë e banorëve të fshatit Kamçisht të komunës Qesort, Tepelenë, ku nga zjarri janë djegur rreth 400 rrënjë ullinj. Si pasojë e erës, zjarri ka rrezikuar edhe disa parcela të tjera me ullinj dhe i është afruar banesave dhe kopshteve të një lagjeje të fshatit Kalivaç, po falë ndërhyrjes së zjarrfikëses, të punonjësve të policisë Tepelenë dhe banorëve të fshatit, zjarri është vënë nën kontroll dhe rreth orës 20.30 të mbrëmjes është fikur plotësisht.

Pas hetimeve, policia ka bërë dhe arrestimin e Tahir Llakës, i cili akuzohet për veprën penale të “Shkatërrimit të Pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Categories
Tags

Comments are closed.