Arratisje spektakolare nga burgu i të dënuarit shqiptar në Greqi
Post on: 20 August, 2012 Comments Off
Si një skenë filmash të Holliwoodit ngjan ngjarja e sotme në Nafplios të Greqisë, ku një i dënuar shqiptar i ka shpëtuar burgut.
Arratisja e të burgosurit ka ndodhur në mëngjes, me ndihmën e dy personave të tjerë, ndërkohë që ai dërgohej në spitalin e Nafplios.
40-vjeçari shqiptar i burgosur, po transportohej në spital për të ndërruar disa plagë. Me sa duket kjo lëvizje e tij ishte e njohur dhe pikërisht në orën 11:00, dy persona me armë sulmuan katër rojet dhe shoqëruesit gjyqësorë të të burgosurit. Ata qëlluan në ajër për t’i frikësuar dhe duke përfituar nga kaosi dhe paniku që u krijua, arritën të rrëmbejnë të burgosurin duke e futur në një makinë, tip AUDI me të cilën u larguan.
Nuk dihet nëse personat që morrën të dënuarin ishin bashkëpunëtorë, apo armiq të tij dhe as nëse kemi të bëjmë me një plan të kujdesshëm arratisjeje, apo një rrëmbim të të dënuarit.
Identiteti i të arratisurit nuk bëhet i ditur nga policia, por mësohet se ai vuante dënimin me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe grabitje me armë. Policia ka nisur ndjekjen edhe në qarqet fqinje.


